Quantcast
Channel: PERSONALITETE – Revista Drini
Viewing all articles
Browse latest Browse all 114

Nufri Lekaj – Biografi e shkurtër, e bazuar në librin: Politika nordike….

$
0
0

                                                    

Para çlirimit të Kosovës

Nufri Lekaj, është një nga protagonistët më të spikatur të ish-emigracionit politik shqiptar. Rrjedh nga një familje rugovase, përkatësisht nga vëllazëria e Lekajve-Muriqi (pasardhësit e Lekë-Gjekës) nga fshati koshutan i Rugovës. Në vitin 1978, gjatë kohës kur ishte nxënës i shkollës së mesme në Pejë, kyçet nëLëvizjen Revolucionare për Çlirimin e Kosovës. Fillimisht angazhohet si simpatizant i grupeve ilegale, duke lexuar dhe shpërndarë literaturë ilegale, e si frymëzues kishte Isa Demajn dhe bashkëveprimtarët e tij. Ka qenë pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981, dhe i burgosur politik, i dënuar me 5.5 vite burg. Në fillim të vitit 1987 detyrohet të arratiset nga Kosova, për shkak të ngritjes së aktpadisë për burgosjen e dytë. Ka qenë pjesëmarrës i mbledhjes së parë dhe të dytë të përgjithshme të organizatës Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPK-s) dhe ish-anëtar i këshillit të përgjithshëm të LPK-s. Gjithashtu i angazhuar prej vitit 1987, në organizimin dhe koordinimin e veprimtarisë së LPK-s, në Skandinavi.

 

Në vitin 1988 angazhohet me punë disa mujore në Londër, për regjistrimin e disa qindra të burgosurve politik shqiptar në regjistrin qendror në Amnesty International në Londër. Amnesty International i regjistronte këta të burgosur, por nuk i klasifikonte si “të burgosur të ndërgjegjes”. Nufriu arrin të vërteton praktikën e “akuzave” serbe, dhe të “dënimeve”, ku del në pah se dënimet ishin “politike” e jo “subversivo – armiqësore”. Kjo ndikoi që mbi 300 të burgosur të kohës nga numri i madh i të burgosurve në listat e Amnesty International të adaptohen si të “burgosur të ndërgjegjes”. Gjatë qëndrimit në Londër ka pasur rastin të takoj edhe personalitete me ndikim politiko-shoqëror në Britaninë e Madhe, dhe ti njoftojë për situatën dhe kërkesat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

 

Në vjeshtën e vitit 1988, emërohet drejtues i Grupit për Ballkanin në Komitetin Norvegjez të Helsinkit, dhe angazhohet veçanërisht për mbledhjen sistematike të informacionit (për dhunën e pushtetit serbo-jugosllav në viset shqiptare në ish-Jugosllavi), për të informuar Federatën Ndërkombëtare të Helsinkit në lidhje me situatën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, dhe rregullisht merr pjesë në konferenca ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, duke e luajtur edhe një rrol të rëndësishëm diplomatik për çështjen e Kosovës. Bashkëpunëtorja e tij e ngushtë, znj. Berit Backer, përveç tjerash, ka qenë koordinatore në mes Grupit për Ballkanin në Komitetin Norvegjez të Helsinkit dhe Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit, në kuadër të PROCESIT TË HELSINKIT.

 

Nufri Lekaj në bashkëpunim me znj. Berit Backer, në vitin 1988 e organizojnë udhëtimin për në Kosovë të një gazetares hulumtuese norvegjeze, për të bërë intervista me aktivistë të ilegales dhe të tjerë në lidhje me grevat e minatorëve, dhe në lidhje me situatën e përgjithshme politike në Kosovë. Gazetares norvegjeze në Kosovë, ju organizua pritja/qëndrimi në mënyrë ilegale nga babai i Nufriut, Rexhep Ujkan Lekaj dhe bashkëfamiljarët tjerë. Rexhep Ujkan Lekaj ka qenë luftëtarë dhe i plagosur gjatë luftës së dytë botërore (LDB) në kuadër të Forcave Vullnetare Shqiptare të udhëhequra nga bajraktari i Rugovës, Sak Fazlia – Muriqi.  Pas LDB, Regjep Ujkan Lekaj persekutohet dhe diferencohet nga regjimi autoritar-titist.

 

Grupi për Ballkanin, në kuadër të aktiviteteve (pas një periudhe të lobimit) ka iniciuar dhe ka ndihmuar që të udhëton për në Kosovë (para shembjes së murit të Berlinit) një delegacion i ekspertëve të Federatës së Helsinkit dhe Helsinki Watch-Amerikan (Human Rights Watch), për ta vëzhguar gjendjen e të Drejtave të Njeriut.  Rrjedhimisht, delegacioni i përbërë nga ekspertët e Federatës së Helsinkit dhe Helsinki Watch Amerikan (i orientuar, i ndihmuar dhe i shoqëruar për në Kosovë nga znj. Berit Backer) udhëtoi për në Kosovë në shtator të vitit 1989, e pas vëzhgimit të situatës në Kosovë, në mars 1990 u botua raporti i parë për situatën në Kosovë nga ky delegacion, me titull “Crisis in Kosovo” (Kriza në Kosovë). Në vazhdën e kësaj veprimtarie, Grupi për Ballkanin në bashkëpunim me z. Gazmend Pula, ndihmoj themelimin e Komitetit të Helsinkit në Prishtinë, dhe më pastaj ndihmoj edhe Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Prishtinë, që udhëhiqej nga z. Adem Demaçi, duke e organizuar edhe ndihmën konkrete materiale për të burgosurit politikë në Kosovë, të cilët kanë qenë në një gjendje tepër të vështirë në këtë kohë.

 

Në vazhdën e përpjekjeve të diplomacisë jo-formale të Kosovës, në kuadër të LPK-s, në fillim të vitit 1989,  Nufri Lekaj e takon personalisht diplomatin e shquar norvegjez z. Johan Jørgen Hølst (i cili kishte një ndikim të madh në diplomacinë ndërkombëtare, dhe i cili është i mirënjohur edhe ndërkombëtarisht për arsye se, në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Norvegjisë, ka pasur rol vendimtar për Marrëveshjen e Oslos të vitit 1993, e cila marrëveshje përfaqëson një përparim të rëndësishëm në negociatat mes Palestinës dhe Izraelit). Zotëri Hølstinin e njofton detajisht për situatën në Kosovë duke argumentuar edhe për kërkesën Kosova Republikë, tek i cili gjen edhe mirëkuptim.

 

Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, në vazhdën e veprimtarisë së vet, në kuadër të PROCESIT TË HELSINKIT, ka organizuar vizitën e delegacionit të parë të Kosovës, në krye me Ibrahim Rugoven, në botën perëndimore, pas pluralizmit politik në ish-Jugosllavi.  Nufri Lekaj ishte edhe vet pjesë e këtij delegacioni. Znj. Berit Backer e ka dhënë kontributin e veçantë për këtë vizitë të parë zyrtare dhe historike të delegacionit të Kosovës në shtetet perëndimore, përkatësisht në Norvegji dhe me nisje nga Norvegjia në shtetet e tjera perëndimore. Ngaqë  znj. Backer është përkujdesur veçanërisht që, nëpërmjet realizimit të vizitës zyrtare të delegacionit të Kosovës në Qeverinë Norvegjeze, dhe nëpërmes kontakteve të saja me strukturat e KSBE-s, t’i hapen dyert delegacionit të Kosovës edhe nga qeveritë, partitë dhe strukturat tjera perëndimore, me qëllim të faktorizimit të Kosovës në bashkëveprimin ndërkombëtar. Gjithashtu në kuadër të organizimit të vizitave lobiste në Evropë me nisje nga Oslo, Grupi për Ballkanin i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, përveç tjerash, ka organizuar edhe vizitën e delegacionit të Kuvendit të Kosovës menjëherë pas shpalljes së Deklaratës për Kosovën Republikë me 2 Korrik 1990 (z. Bujar Gjyrgjeala, z. Skënder Skënderi, z. Muharem Shabani), dhe poashtu ka ndihmuar për promovimin e lidhjes shqiptaro-amerikane në Evropë në kuadër të “PROCESIT TË HELSINKIT”, duke organizuar edhe konferencën në Komitetin Norvegjez të Helsinkit, për z. Josef Diogardin, z. Osman Osmanin, z. Mehdi Hajdarin etj.

Në tetor 1990, në cilësinë e veprimtarit të mirënjohur për të Drejtat e Njeriut në kuadër të PROCESIT TË HELSINKIT, Nufri Lekaj, ftohet dhe merr pjesë, në mbledhjen themeluese të Asamblesë Qytetare të Helsinkit në Pragë, e cila mbledhje ishte e sponsorizuar nga një ndër iniciuesit e saj, z. Vaclav Havel. Me këtë rast (gjatë kësaj mbledhje), Nufriu mban edhe një fjalim për Kosovën.

 

Pas iniciativës dhe angazhimit lobist të Nufri Lekës në Komitetin Norvegjez të Helsinkit, por edhe sqarimit të perspektivës politike për çështjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Në mbledhjen vjetore të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, mbajtur në godinën e parlamentit norvegjez më 19.3.1991, sekretari gjeneral i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, z. Bjørn Catto Funnemark, propozon dhe unanimisht aprovohet si një nga pikat e “këshillimit” të politikës së jashtme norvegjeze: “Kosova Republikë është zgjidhja më e mirë e problemeve serioze e të Drejtave të Njeriut në Jugosllavi”. Ky amendamentin nga ana e një organizate gjysmë-shtetërorë, mund të thuhet se ishte rasti i parë kur bëhet propozimi për zgjidhje politike dhe një forcim i ndikimit lobist dhe i diplomacisë jo-formale të Kosovës në Norvegji dhe në përgjithësi në Skandinavi.

 

Në vazhdën e angazhimit diplomatik dhe lobist për Kosovën, në vitin 1992, prej 17 deri më 20 shtator, në Veronë (Itali), Nufri Lekaj merr pjesë në konferencën “Forumi për Paqe dhe Pajtim në ish-Jugosllavi”. Gjatë kësaj konference, në kuadër të delegacionit skandinav, në një darkë joformale, takohet me udhëheqësin e kësaj konference z. Alexander Langer (anëtar i Parlamentit Evropian dhe president i Grupit Greens/EFFA në Parlamentin Evropian), të cilit i argumenton për kërkesën Kosova Republikë si zgjidhje kompromisi dhe si zgjidhje që shërben për paqen në Ballkan, tek i cili gjen edhe mirëkuptim.

 

Në cilësinë e koordinatorit të projektit Action Norway Albania (Akcioni Norevgji – Shqipëri), projekt i sponsorizuar nga Ministria e Jashtme Norvegjeze në periudhën 1990 -1995, së bashku me znj. Berit Backer (drejtuesen e këtij projekti), fillimisht realizojnë ndihmat emergjente nga Ministria e Jashtme e Norvegjisë për në Shqipëri. Etablojnë OJQ-n e parë në Shqipëri, përkatësisht Qendrën për të Drejtat e Njeriut dhe për Rehabilitimin e të Përndjekurve Politikë nga Regjimi Totalitar, si bërthamën e parë nga jashtë për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim në Shqipëri, dhe në vazhdën e këtij projekti ndihmojnë që Shqipëria të marrë pjesë në takimin e ekspertëve të KSBE-së. Ndihmojnë themelimin e Komitetit të Helsinkit në Shqipëri, dhe gjithashtu ndihmojnë për implementimin e mësimit për të Drejtat e Njeriut në shkollat shqiptare nëpërmes Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Tiranë. Rehabilitimi i të përndjekurve politikë nga sistemi totalitar ka përfshirë studimin për çështjet e tyre dhe regjistrimin e kushteve të tyre jetësore. Si ish i burgosur politik, Nufriu tregon solidaritet për t’i ndihmuar ish të burgosurit politikë në Shqipëri, merr pjesë edhe në grevën e të ish-burgosurve politik në Tiranë në vitin 1991.

 

Në periudhën 1995-1997, ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i radiotelevizionit norvegjez (NRK), nga i cili angazhim u pushua, për shkak të deklaratës së tij publike (me 9 dhjetor 1997), në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës-UÇK-s, njëherësh deklarata e parë publike në diasporën shqiptare në përkrahje të UÇK-s (menjëherë pas paraqitjes publike të UÇK-s në Kosovë, me 28. Nëntor 1997). Në periudhën 1998-1999 ka qenë përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Skandinavi, dhe njëkohësisht zëdhënës i Bashkësisë Shqiptare në Norvegji. Në periudhën 1999-2000 ka qenë përfaqësues diplomatik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës në Norvegji.

 

 

 

                                                   Shkollimi, përvoja hulumtuese dhe mirënjohjet

Ka studiuar elektroteknikën në Universitetin e Prishtinës, shkencat sociale në Universitetin e Oslos, gazetarin në shkollën e lartë të gazetarisë në Oslo, është përkthyes i autorizuar nga shteti norvegjez, dhe ka përvojë hulumtuese, përveç tjerash: Është bashkautor i raportit hulumtues në periudhën 1987-1988, të shkruar enkas për qeveritë e shteteve Skandinave, i titulluar “Straff og Politikk i Kosova” (Politika dhe Dënimet në Kosovë).Gjatë periudhës 1989-1990 ka qenë konsulent në Drejtorinë e Emigracionit në Norvegji, dhe njëkohësisht bashkautor i raportit hulumtues “Har alle forstått?” (A e kanë kuptuar të gjithë?) në lidhje me situatën e azilkërkuesve në Norvegji, ky raport është shkruar me porosi të Ministrisë së Pushtetit Lokal në Norvegji. Poashtu është bashkautor i raportit hulumtues për situatën e ish të përndjekurve politik në Shqipëri etj.

Për veprimtarinë e tij, është mirënjohur, përveç tjerash: Në shtator të vitit 1991, me propozim të Komitetit Norvegjez të Helsinkit, është ftuar së bashku me bashkëveprimtarin e tij, z. Ole Drolsum, në darkën solemne (në Kështjellën e Oslos) të organizuar nga ish kryeministrja e Norvegjisë, znj. Gro Harlem Brundtland, ku ishin të ftuar (pjesëmarrës) edhe një numër i konsiderueshëm i ekspertëve ndërkombëtarë, si shenjë mirënjohje për të pranishmit për kontributin e tyre për të Drejtat e Njeriut në plan global. Në shtator të vitit 1999 i ndahet mirënjohja për kontribut të veçantë për çlirimin e Kosovës nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Mbrojtjes. Pas propozimit të Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë në Norvegji (me arsyetimin se ka pasur rol të rëndësishëm në krijimin e opinioneve për dhjetëvjeçarin e fundit) në vitin 2001 i ndahet mirënjohje nga Organizata Ndërkombëtare Who’s Who për Profesionalistët për vitin 2000. Në vitin 2015 është shpallur veteran i UÇK-s (njësitë vartëse të Shtabit të Përgjithshëm).

 

 

                                          

                                                       Pas çlirimit të Kosovës

Pas çlirimit të Kosovës, përkatësisht prej vitit 2000, aktiviteti politiko-diplomatik i Nufri Lekës ndryshon si për nga rëndësia ashtu edhe për nga pesha dhe intensiteti, krahasuar me aktivitetin e tij politiko-diplomatik të viteve të ’80-’90-ta, por kjo nuk nënkupton se ka qenë krejtësisht pasiv. Duke pasur parasysh se Kosova ende nuk ishte e pavarur, Nufri Lekaj vendos në vitin 2001 që sadopak të vetë-riorganizohet në kuadër të Zyrës së Kosovës në Norvegji, duke e regjistruar si Zyrë Interesi e Kosovës me emrin “Kosova Office in Norway”, por pa legjitimitet nga institucionet e Kosovës: si aktivitet vullnetar në mbrojtje të vlerave çlirimtare të UÇK-s, dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet nordike. “Kosova Office in Norway” nuk e kishte forcën e duhur, sepse nuk e kishte legjitimitetin institucional të Kosovës  por, megjithatë, u përshëndet nga kryeministri norvegjez z. Kjel Magne Bondevik nëpërmes letrës së tij dërguar kësaj zyre më 29 tetor 2001.

 

Gjatë luftës në Maqedoni në vitin 2001, Nufri Lekaj ka përkrahur publikisht në mediat televizive dhe në shtypin norvegjez, kryengritjen e armatosur të shqiptarëve – Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK-n) në Maqedoni, duke argumentuar se pas përpjekjeve të gjata dhe të dështuara të shqiptarëve në Maqedoni, që t’i arrijnë të drejtat e tyre nëpërmes mjeteve politike, kjo luftë kishte legjitimitet si mjet i fundit për t’u arritur të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Njëkohësisht (me bashkëveprimtarët e tij) duke i rivën në funksion strukturat e Bashkësisë Shqiptare në Norvegji, ka kontribuar për grumbullimin e mjeteve financiare dhe për mobilizim e njerëzve për të mbështetur Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK-n) në viset shqiptare në Maqedoni, po ashtu edhe Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB-n).

 

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 (dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shtetet nordike), Nufri Lekaj deklaron se Zyra e Kosovës në Norvegji mbyllet, sepse e ka përfunduar misionin e vet, rrjedhimisht Nufri Lekaj e përmbyllë veprimtarinë e tij patriotike 30 vjeçare (1978-2008). Megjithëkëtë, për të mos i ikur ndonjë përgjegjësie për Kosovën, e njofton Ministrinë e Jashtme të Kosovës (nëpërmes një letre) se poqëse kanë nevojë dhe poqëse e shohin të arsyeshme, është në dispozicion të kryej çfarëdo shërbimi diplomatik për Kosovën, pa pagesë.  Nufri Lekaj, vazhdon të ushtrojë profesionin e përkthyesit të autorizuar nga shteti norvegjez, në të cilin profesion ka përvojë mbi 25 vjeçare.

Kjo biografi e shkurtër është e bazuar në librin e bazuar në dokumente: POLITIKA NORDIKE DHE NJË RRËFIM I NUFRI  R. LEKËS PËR VEPRIMTARINË E TIJ NË KUADËR TË LPK-s. Të interesuarit mund ta lexojnë versionin elektronik të këtij libri, në nyjën në vijim:

http://www.pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Politika-nordike%20-%20LPK.pdf

 

 

PS.  Meqë libri i z. Nufri Lekës, është i bazuar në dokumente dhe i iniciuar nga Revista Drini në kuadër të gazetarisë hulumtuese. Rrjedhimisht kjo biografi e shkurtër e z. Nufri Lekës botohet ekskluzivisht në Revistën Drini.

 

 

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 114

Trending Articles